Lajme Shqip: Shqiperia
shkodrani Shkruan "Edukatorja e cerdhes se burgut Mirsie Zaimi me Kaltrinen dhe Enisen ...
Kujtim Boriçi
Enisa 18 dhe Katrina 12-muajshe, janë të vetmet foshnje në Shqipëri, që i kalojnë ditë-netët brenda mureve të lartë të Burgut "Ali Demi" në Tiranë, nën përkujdesjen e edukatoreve, pa patur mundësinë të ndjejnë ngrohtësinë e përkujdesjen e nënave të tyre, ndonëse i kanë fare pranë, e një mur i pakapërcyeshëm i ndan nga 'to. Kjo, për shkak se ata që i sollën në jetë, kanë kryer krimin e rëndë të vrasjes, krim për të cilin njëra po vuan 10 vjet heqje lirie, ndërsa tjetra është në kushtet e paraburgimit e pritet të përballet me togat e zeza. "Ne jemi përkujdesur për gjithçka, në mënyrë që atyre të mos u mungojë asgjë, por gjithsesi, këto krijesa të pafajshme, që në ditët e para të jetës, vuajnë padrejtësisht pasojat e krimeve makabër që kanë kryer nënat e tyre",- pohon për "Shekullin" Marinela Sota, drejtoreshë e IEDP "Ali Demi" në Tiranë. Çerdhja e rrallë Çerdhja e Burgut të Grave, është objekti i parë që ndesh sapo kalon portën e hekurt, e merr paksa në të djathtë. Ndonëse ky institucion riedukimi është i mbipopulluar, me objekte tejet të amortizuara e problematik, përsa i përket kushteve të sigurisë, mjediset e çerdhes, vendit ku krijesat e pafajshme kalojnë vitet e para të jetës së tyre, është më i miri dhe më funksionali. Këto kohë, shton Ingrit Balluku, psikologe e burgut, në këtë çerdhe janë vetëm dy foshnje, përkatësisht Enisa Topuzi, 18-muajshe dhe Katrina Xhafa, që ende nuk ka mbushur vitin, por kohë më parë ne kemi patur në këtë çerdhe dhe katër fëmijë. Secila nga foshnjat ka një dhomë më vete, të mobiluar në mënyrën më të mirë, me piktura e panorama të varura nëpër mure, dhjetëra lojëra e pajisje të tjera, me krevate, etj. Por në të shumtën e kohës, përjashto thuajse kohën e gjumit, të dy foshnjat, nën përkujdesjen e edukatoreve, rrinë e lozin bashkë. "Ata janë fëmijë të mrekullueshëm, e ne, si punonjëse që jemi, por më shumë si nëna, përkujdesemi që të mos e ndjejnë përkujdesjen e vazhdueshme të nënave të tyre biologjike",- thotë edukatorja Mirsie Zaimi. Ingriti shton se përveç personelit tjetër, në këtë çerdhe janë në shërbim edukatore me tre turne, ndërsa gjatë 24 orëve, nënat takohen dy herë me krijesat e tyre. "Deri vonë, nënat qëndronin me fëmijët e tyre dy herë në ditë, njëherë paradite e njëherë pasdite, me një kohëzgjatje nga një orë, por tani dyfishimi i kohës ka krijuar mundësi, që sadopak fëmijët të ndjejnë më shumë përkujdesjen e nënave të tyre biologjike",- shton Ingriti. Pendesa e nënave vrasëse "Jemi penduar për krimet që kemi bërë, por ajo nuk zhbëhet më, por na vjen keq që fëmijët tanë po vuajnë pasojat e mëkateve tona; nuk lindën e nuk po rriten si gjithë fëmijët e tjerë, por mes mureve e telave me gjemba. Shpirti na e di, kur për të parë fëmijët tanë, shkojmë me orar e të shoqëruara nga gardianet",- pohojnë për gazetën Zoja dhe Manushaqja, nënat e dy foshnjave të pafajshme. Ndërsa rrethanat e motivet e krimit, që kanë dy të burgosurat, nuk kanë dëshirë t'i kujtojnë. Por dhe nuk mund t'i fshijnë nga kujtesa, jo vetëm për faktin se pasojat e tyre po i vuajnë me privime të gjata lirie, por dhe se krijesat e tyre lindën e po rriten në qeli. Për Manushaqe Topuzin nga Dibra, sot 32-vjeç, drama e dyfishtë, me pikënisje krimin makabër, sipas pohimeve të shkëputura të saj dhe rrëfimeve të drejtueseve të institucionit, e ka pikënisjen në fund korrikun e vitit 2004. Konfliktet e vazhdueshme të një martese problematike e të dhunshme mes bashkëshortëve, mesnatën e 29 korrikut 2004, arrijnë pikun. Në një moment, Manushaqja (atëherë 30-vjeçe), merr sëpatën e druve dhe e godet për vdekje bashkëshortin e saj, Minain. Në mëngjes përfundon në pranga, e ditët në vazhdim dënohet nga drejtësia me 10 vjet heqje lirie. Por, në momentet e krimit ka qenë shtatzënë, e në kushtet e burgimit lind dhe vajza, që e quajtën Enisa. Pothuaj të njëjtën rrjedhë ka dhe krimi makabër e pikënisja e dramës së dyfishtë për Zojë (Vitore) Xhafën nga Mati. Për probleme xhelozie, sipas akuzës, ajo, së bashku me burrin e saj, Xhevitin, në orën 21:15 të 28 majit 2005, vrasin R. Kadriun, nga fshati Gurrë i Burrelit. Edhe ikja nga vendlindja, nuk i shpëton bashkëshortët nga prangat e policisë, e cila arrin t'i ndaloj në Kamëz, tek disa të afërmit e tyre. Por, për shkak të shtatzënisë në momentin e ndalimit, tregojnë për gazetën drejtueset e institucionit, Zoja "privilegjohet" dhe sillet në Burgun 325 në pritje të gjykimit, për të qenë njëkohësisht pranë foshnjës së saj, që ende nuk i ka mbushur 12 muajt. Fati i foshnjave të "burgosura" Ashtu si shumë të tjera foshnje të "burgosura" para tyre, edhe Enisa e Katrina do të jenë banore të përkohshme të kësaj çerdheje të veçantë, pasi do të largohen. "Me ligj, fëmijët e nënave që vazhdojnë vuajtjen e dënimit në burg, ne jemi të detyruara t'i mbajmë e përkujdesemi deri në moshën 3-vjeçare, më pas ata largohen që këtej",- tregon për gazetën Marinela, drejtoresha e burgut. Sipas statistikave që afrojnë drejtueset e IEDP "Ali Demi", përgjithësisht fëmijët që mbushin 3-vjeç në përkujdesje të këtij institucioni, shkojnë nëpër shtëpitë e fëmijëve të vendit, nën përkujdesjen e shtetit. Ndërsa në raste të veçanta, gjithmonë në përputhje me ligjin e vendimet përkatëse gjyqësore, përkujdesja e këtyre fëmijëve, u lihet familjarëve të personit që vazhdon vuajtjen e dënimit. Vetëm në një rast, tregon drejtoresha e burgut, Marinela, po në përputhje të ligjit, fëmija e të dënuarës (M. Shota, dënuar me 8-vjet burg) është marrë nga të afërmit e saj, pak muaj para se të mbushej koha 3-vjet, në çerdhen e burgut. Drama e krijesave të pafajshme Ku do të jenë Enisa e Katrina nesër, kur të mbushin 3-vjeç!? Sot, këtë askush nuk e di; as nënat e tyre që janë në qeli, as dhe drejtueset e institucionit. "Me gjithë përkujdesjen tonë, të shtetit, të OJQ-ve, faktorëve të tjerë të komunitetit për lehtësimin e dramave të këtyre krijesave të pafajshme, sipas statistikave që ne kemi, në të shumtën e rasteve, edhe jeta më pas e fëmijëve që kanë ikur nga çerdhja jonë, është pasuar e vazhdon të jetë me probleme, që do të kenë ndikim që në pikënisje të jetës së tyre",- shton psikologia Balluku. Ndoshta, sipas saj, pas një viti, Enisa mund të shkojë tek Fshatit "SOS!", ku janë dhe tre motra e vëllezër biologjikë të saj. "Në kohën që Manushaqja erdhi të kryejë dënimin në institucionin tonë, ku u bë dhe me fëmijë, e ëma e saj solli këtu tre fëmijët më të rritur, duke na thënë se nuk ka kush t'i mbajë. Biseduam me drejtuesit e Fshatit "SOS!" dhe i sistemuam atje",- shton psikologia Balluku. Kohë më parë, shton më tej ajo, pikërisht në korrik 2006, Marsela Kukaj, nëna e së cilës vuan dënimin këtu për veprën penale të vrasjes, sapo mbushi 3-vjeç, u dërgua në "Fshatin e Paqes" në Shkodër, ku ka dhe dy motrat e saj më të mëdha.
Shekulli
Lajmi nga www.shqip.dk
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen