Lajme Shqip: Kosova
Shkodrani Shkruan "Jam optimist se 2007 do të jetë vit i pavarësisë” Kreu i Partisë Demokratike në opozitë, dhe njëkohësisht anëtar i Ekipit Negociator në bisedimet për statusin, Hashim Thaçi, thotë se beson që rekomandimet e të dërguarit të OKB-së për statusin, Martti Ahtisari, do të përmbajnë substancën e shtetit të ardhshëm të Kosovës. Thaçi vlerëson se pavarësia e Kosovës nuk është çështje e një akti, por e një procesi politik dhe nënvizoi se tani është i domosdoshëm unifikimi i qëndrimit të qartë të SHBA-ve me atë të BE-së....
Ai thotë se në vitin 2007 edhe opozita edhe pozita duhet të kenë një agjendë të përbashkët shtetërore. Në një intervistë për BBC, ai tha se Kosova do të zgjidhë statusin e saj brenda këtij viti dhe ajo do të ndërtohet si një shoqëri demokratike e të gjithë qytetarëve të saj. Pse vitin 2006 e keni cilësuar si vit të arritjeve solide? Është arritur ajo që është pritur nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga ndërkombëtarët, që të ruhet dhe të kultivohet uniteti politik. Të kemi agjendë të njëjtë për statusin politik dhe të dëshmojmë me argumente të fuqishme domosdoshmërinë e zgjidhjes së statusit politik sa më shpejtë që është e mundur. E kemi vënë në lëvizje gjithë diplomacinë botërore në shërbim të nxjerrjes së vendimit për Kosovën dhe në anën tjetër kemi dëshmuar se jemi të përgatitur, jemi të aftë që Kosovën ta bëjmë shtet dhe ta udhëheqim si shtet demokratik e funksional. Ka qenë sukses yni sepse kemi dërguar edhe porosi shumë të qarta mirëkuptimi e bashkëpunimi për stabilitetin rajonal. Mbi të gjitha ka qenë një sukses i avancimit të përkushtimeve tona dhe thjeshtë e kemi ruajtur unitetin e brendshëm politik dhe qytetar, por edhe e kemi vënë në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare në partneritet e sipër për zgjidhjen përfundimtare të statusit politik. Pra, ishin suksese të stabilitetit, të unitetit dhe të partneritetit. Ju po flisni për unitetin e Grupit Negociator të Kosovës dhe të forcave të ndryshme politike. Por, megjithatë gjatë vitit 2006 ka pasur një përplasje të fuqishme mes opozitës dhe pozitës. A mos do të thotë kjo se Kosova realisht ka hyrë në një fazë kritike politike? Kosova nuk është në fazën kritike të saj. Në Kosovë po kalojmë fazat e para të demokracisë reale, të përballjes pozitë dhe opozitë. Është fat që statusi politik i Kosovës nuk identifikohet me qeverisjen aktuale, por kemi një përkushtim të politikës demokratike, që kultivohet nga opozita kosovare dhe që është unifikuar në Grupin e Unitetit e që ka bërë që të kemi një proces relativisht të suksesshëm, me bindje të plotë se viti 2007 do të jetë vit i vendimit, vit i pavarësisë. Por, raporti i zotit Ahtisari pritet të paraqitet pas zgjedhjeve në Serbi. Ky raport sipas pohimeve, duket se nuk do të përmbajë atë që presin qytetarët e Kosovës. Realisht besoni se viti 2007 do ta përmbyllë fazën e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës me atë që presin qytetarët kosovarë? Pavarësia nuk është punë akti, por ka qenë dhe është punë e një procesi politik. Rekomandimet e presidentit Ahtisari është me rëndësi që të vijnë sa më shpejtë që është e mundur dhe kjo do të ndodh. Në rekomandimet e presidentit Ahtisari ndoshta nuk do të përmendet emri pavarësi – por do të jetë substanca e shtetit të ardhshëm të Kosovës, pastaj do të kalohet në Këshillin e Sigurimit për diskutim e debate deri në nxjerrjen e një Rezolute të re të KS-së, dhe do të hapet perspektiva për nxjerrjen e Kushtetutës së shtetit të ri të ardhshëm të Kosovës nga Kuvendi kosovar, i simboleve unifikuese shtetërore të Kosovës dhe në anën tjetër i njohjes së Kosovës nga shtetet veç e veç ose në grup. Unë besoj se tani i gjithë përkushtimi duhet të jetë se si të arrihet të unifikohet qëndrimi i qartë amerikan me shtetet e BE-së dhe pastaj ky unifikim në qëndrim i SHBA-së dhe BE-së të jetë një qëndrim që integron edhe Rusinë në kuadër të vendimit nga Këshilli i Sigurimit, Grupi i Kontaktit dhe thjesht nga e gjithë bota. Dhe kjo përjashton veprime të njëanshme të klasës politike kosovare? Veprimet e njëanshme nuk e zgjidhin çështjen. Edhe çlirimi edhe pavarësia e Kosovës janë arritur në partneritet me SHBA-në dhe BE-në dhe kjo do të ndodhë. Zoti Thaçi, a mund të pritet që PDK-ja, të kërkojë në një të ardhme të afërt, ndryshime më rrënjësore në qeverisjen kosovare? Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar situatat nëpër të cilat po kalojmë, si situata që kërkojnë përkushtim të të gjithëve për të investuar për shtetin e ri të Kosovës. Natyrisht, do të ishte me interes që të kemi qeverisje funksionale dhe efektive, ku do të sundonte ligji dhe jo të ishin të pranishme dukuritë negative duke toleruar mosrespektimin e ligjit. Në anën tjetër, PDK-ja ka dëshmuar se preokupim kryesor e ka ndërtimin sa më parë të shtetit. Në vitin 2007 pozita dhe opozita duhet të kemi agjendë të përbashkët shtetërore. Por, natyrisht në suaza të fair – play të ndodh edhe përballja e konkurencës së vlerave pozitë – opozitë. Ju e përmendët shumë shpesh, në këtë intervistë, shtetin e Kosovës. Por, sa do të jetë shteti i Kosovës i aftë që të akomodojë pakicat e në veçanti pakicën serbe? E përmenda shumë shpesh, sepse pa shtet nuk perspektivë as ekonomike, as sociale, as kulturore, as perspektivë qytetare e as integruese në BE dhe në NATO. Prandaj, është domosdoshmëri bërja e shtetit sa më parë që të jetë e mundur. Kosova është e përgatitur për shtet dhe e aftë që të qeverisë shtetin, natyrisht me një prani të lehtë civile ndërkombëtare, të BE-së dhe SHBA-së, por me prani të theksuar të NATO-s. Unë jam optimist se viti 2007, nuk do të flisja këtu me stinë: pranverë, verë apo vjeshtë, por viti 2007 do të jetë vit i pavarësisë së Kosovës dhe hapjes së perspektivës për mirëqenie dhe jetë më të mirë të qytetarëve të vendit. Përfshirë edhe pakicat? Natyrisht, Kosova si shtet do të jetë shtet demokratik në të cilin do të jetojnë të lirë, të barabartë dhe do ta ndiejnë veten mirë për të jetuar të gjithë qytetarët e Kosovës me identitet shtetëror kosovar, duke punuar për të ngadhënjyer demokracia qytetare në vend. Dhe, duke respektuar e garantuar në kuptimin më afirmativ të drejtat e pakicave.
Lajmi nga www.shqip.dk
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen